Kurti thotë se VV-ja do të jetë opozitë kryesore nëpër komunat që nuk i qeveris

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do të jetë e përkushtuar në komunat ku qeveris, ndërsa do të jetë opozitë kryesore nëpër komunat tjera të Kosovës.

Këto komente, Kurti i bëri në mbledhjen me qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, ku morën pjesë, veç Kurtit, edhe kretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, Valon Hoti.

Sa i përket situatës politike, kryeministri Kurti njoftoi edhe njëherë përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes për miratimin e buxhetit për vitin 2022 që është edhe buxheti më i madh deri tani në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë  eurosh.

“Ky është buxheti i zhvillimit, mirëqenies, solidaritetit dhe investimeve. Aty gjenden fondet e ndara për mbështetje të prodhuesve vendor dhe bujqve, fondet për ringjallje të ndërmarrjeve publike, shtesat për nënat lehona e fëmijët, shtesat për familjet me asistencë sociale dhe pensionistët, e deri te investimet në fushat si ajo e shëndetësisë, sigurisë, infrastrukturës, kulturës e rinisë”.

“Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e përkushtuar edhe në komunat ku qeveris, dhe do të jetë opozitë kryesore nëpër komunat tjera të Kosovës”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në mbledhjen e përbashkët me qendrat u fol edhe për zgjedhjet e brendshme të cilat u tha se do të rinisin në fillimvitin që po vjen, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Të gjitha qendrat ishin njëzëri dakord për të filluar procesin e brendshëm zgjedhor prej nga u tha se “do të dalim edhe më të fuqishëm edhe më të organizuar”.

“Mbështetjes dhe rritjes së madhe të LVV-së duhet t’ja mbështesim një organizatë edhe më të fortë”, është thënë në këtë mbledhje, sipas njoftimit të LVV-së.

Në fund të mbledhjes, qendrat u njoftuan edhe për hapjen e aplikimit për Nivelin Teorik në kuadër të Shkollës Politike afati për aplikim i së cilës përmbyllet me 10 janar 2022.