Kurti thotë se ua ka bërë të ditur liderëve evropianë se dialogu me të do të jetë ndryshe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimorë në Bruksel.

Fillimisht ai ka thënë se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë dhe duhet të ketë si epilog njohjen e ndërsjellë.

“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor si palë të barabartë. Në të cilën natyrisht thelbi është ajo që e ka thënë jo vetëm lideri amerikan Joe Biden por edhe shumë liderë të tjerë botërore se zgjidhja e ka emrin në njohjen reciproke. Serbia nuk e njeh Kosovën e as Kosova-Serbinë por njohja është ajo që do të normalizojë raportet në Ballkan. Unë jam në fillim të mandatit, presidenti i Serbisë është ën fund të mandatit. Sic e dini ne kemi si parim reformimin e brendshëm në Kosovë për të cilën edhe më ka votuar populli i Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se u ka bërë të ditur liderëve të shteteve më të mëdha europiane se Qeveria e tij nuk do të ketë asgjë të trashëguar nga Qeveritë e kaluara.

“Të gjithë ata e kuptojnë se pjesë e fitores sonë është edhe çështja e qëndrimit tonë karshi Serbisë, ndonëse ky nuk ka qenë prioritet i joni as në fushatë as në programin tonë qeverisës. Ata e kuptojnë se do të paraqesim qëndrimin tonë të ri dhe nuk kemi ndonjë trashëgimi që ia vlen. Kemi një dialog të ri ku Kosova tani është palë dhe ndërmjetësi apo facilatori është BE”, tha ai.