Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për gazetarë të martën, theksoi se “nuk varet prej qeverisë” largimi i masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian (BE) vendosi ndaj vendit vitin e kaluar, duke insistuar se tashmë janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për depërshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.
Në këtë kontekst, ai përmendi zgjedhjet për legjislativin e ri evropian, i cili numëron plot 720 ulëse, që do të mbahen në të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së nga 6 deri më 9 qershor. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit kosovar u bëri thirrje kosovarëve në diasporë të votojnë në zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian (PE), nga të cilat do të varet përbërja e institucioneve të BE-së.
“Krejt çfarë varet prej neve tashmë ka ndodhur. Ne asokohe u patëm ndëshkuar padrejtësisht për shkak të eskalimit të situatës në veri – ndodhi deeskalimi, pastaj ngjau edhe rieskalimi në shtator të vitit te kaluar. Gjendja sërish deeskaloi, por nëse do të eskalojë sërish, përgjigja është në Beograd – atje duhet të bëhet trysnia për të pasur siguri dhe stabilitet në rajon”, shtoi ai.
Zyrtarët e BE-së vazhdimisht nënvizojnë se “sanksionet” që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të mund të largohen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë hapa konkretë në drejtim të depërshkallëzimit të situatës në terren, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.







