Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është shprehur thellësisht e shqetësuar për situatën e rëndë politike dhe të sigurisë në vend.

Prandaj, AAK-ja njoftoi se ka paraqitur shtatë qëndrime.

Ndër të tjera, AAK-ja ka dënuar ashpër kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

AAK-ja teksa ka kërkuar lirimin e policëve kosovarë, thotë se politikat e kryeministrit Kurti janë akte kundër Kosovës.

Duke kërkuar dorëheqjen e Kurtit, AAK-ja tha se “kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja që ta mbështesin Kosovën dhe popullin e saj në këto momente të vështira”.

Më poshtë gjeni shtatë qëndrimet e AAK-së:

  1. Kryesia AAK-së e dënon ashpër kidnapimin e tre policëve, duke e konsideruar si provokim të drejtpërdrejtë nga Qeveria në Beograd. Kërkojmë nga Presidenti i Serbisë, t’i lirojë menjëherë zyrtarët tonë policorë.
  2. Politikat e Albin Kurtit i konsideron si akte kundër Kosovës që e çojnë Kosovën buzë shkatërrimit, dezintegrimit, dhe forcimit të Asociacionit.
  3. Kryeministri i Kosovës, me qasjen e tij anti shtetërore, ka rrezikuar deri në pakthim krejt arritjet e përbashkëta të Kosovës me partnerët euro-atlantikë në projektin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
  4. Veprimet e tij avantureske në veriun e Kosovës, dhe shpërfillja e miqve tanë euro-atlantikë, në krye me ShBA-në, kanë rezultuar me sanksione dhe përshkallëzim deri në kufi të konfliktit të hapur.
  5. Reagimi me vonesë i kryeministrit për çdo situatë të krijuar, u pa si pabesi e Qeverisë ndaj partnerëve dhe ka bërë, që regjimi në Beograd, që është shkaktari kryesor i krizës në veri, të trajtohet si shtet i besueshëm e Kosova si fajtore.
  6. Duke marrë për bazë këto gabime dhe dëme që i janë shkaktuar vendit, kërkojmë nga kryeministri të dorëhiqet menjëherë dhe mos të rrezikojë vendin.
  7. Njëkohësisht, kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja që ta mbështesin Kosovën dhe popullin e saj në këto momente të vështira për gjetjen e zgjidhjes së vetme, që është zbatimi i Marrëveshjës së Ohrit, si garancë e sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.