Kurti takon ambasadorin turk: Do të shqyrtohet vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, në zyret e Lëvizjes priti Ambasadorin e Turqisë, z. Çağri Sakar, dhe sekretaren e dytë të ambasadës, znj. Dilara Köseoğlu.

Në njoftimin e VV-së, thuhet se ambasadori uroi Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje. Kryetari Kurti e falendëroi Ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik. Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet në njoftim.

Kosova tashmë e ka dërguar në Jerusalem të ngarkurën me punë, Ines Demiri, ndërsa kjo deklaratë e Kurtit bie ndesh me zotimin e Kosovës që ambasada do të vendoset në Jerusalem, si pjesë e marrëveshjes për njohje të ndërsjelltë. /Ballkani.info/