Kurti ‘sulmon’ SBASHK-un nga Podujeva: Shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura

Kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetarin e komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqin, kanë uruar nxënësit për vitin e ri shkollor në shkollën “Enver Maloku”.

Sipas Kurtit, shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta.

“Në shkollën “Enver Maloku” në Podujevë, bashkë me Kryetarin e Komunës Shpejtim Bulliqi, uruam nxënësit për vitin e ri shkollor. Po ashtu, pamë nga afër edhe ndarjen e teksteve shkollore për nxënësit e klasës së parë”.

“Shkolla është vend ku mësohet, ku jepet mësim dhe ku fëmijët edukohen, bëhen më të ditur e më të mençur, andaj edhe shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta”, tha ai.

Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash. Ata po kërkojnë 100 euro shtesë për çdo punëtorë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për pagat.