Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet lidhur me situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka thënë se gjendja e shqiptarëve në këto krahina është e rëndë.

Sipas tij, edhe shkalla e papunësisë në këto vende është e madhe.

“Shqiptarët atje e kanë gjendjen shumë më të rëndë se gjatë kohës së Jugosllavisë.
Papunësia në krahinën shqiptare është shumë e madhe, gjë që shkakton emigrim drejt Kosovës dhe shteteve tjera. Shkalla e papunësisë tejkalon 60 për qindëshin. Presheva, Medvegja e Bujanoci paraqesin rajonin më të pazhvilluar në Serbi”, ka thënë ai.

Kurti ka rekomanduar edhe disa hapa të cilat duhet të merren nga institucionet e Kosovës dhe ato të Serbisë në lidhje me gjendjen e shqiptarëve në luginë.

“Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kërkojnë televizion në gjuhën shqipe në Preshevë, universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, investime të shqiptarëve në Medvegjë dhe heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Bujanoc. Me këto kërkesa shqiptarët kudo që janë dalin në ofenziv kundrejt shtetit të Serbisë i cili nuk ka as keqardhje për krimet e kaluara e as që i ka ndryshuar planet për ne për të ardhshmen”, ka shtuar ai.