Kurti shkruan për Ditën e Tokës, qytetarët e “vërshojnë” me komente: Ktheju dinjitetin pensionistëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e Ditës së Tokës, duke thënë se kjo ditë vendin e gjen në gjendje më të rënduar.

Ai thotë se Dita e Tokës nuk do të jetë dita e vetme kur do të flitet e veprohet për tokën, teksa tregon prioritetet e tij për natyrën.

“Veprimet tona urgjente do të jenë ndalimi i praktikave të dëmshme dhe të paligjshme. Mbrojtja e bjeshkëve që janë shkatërruar nga prerjet ilegale dhe pa plan të drunjve e nga nxjerrja e gurëve, ndalimi i degradimit të lumenjve dhe restaurimi i tyre, vendosja e kontrollit mbi gurëthyesit dhe ndalimi i betonizimit të tokës bujqësore janë në listën e prioriteteve tona”, shkruan ai ndër të tjera.

Por, në këtë status të Kurtit, shumë qytetarë kanë kërkuar sqarim për uljen e shtesave për pensionistët, shkruan Reporteri.net.

Disa nga ta ia kanë kujtuar Kurtit premtimin gjatë fushatës për rritjen e pensioneve.

“Ktheju dinjitetin pensionistëve” – është një nga komentet e shumta në statusin e Kurtit.

Ndryshe, Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, para pak minutash është sqaruar lidhur me vendimin e djeshëm për uljen e shtesave të pensioneve.

Ai ka thënë se Qeveria e kaluar në kohë fushate kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro shtesa për vetëm tre muaj, janar, shkurt dhe mars.

Sipas tij, pas marsit e tutje shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi.

Tutje, Murati ka thënë se krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratuar në Kuvend.