Kurti sërish i zhgënjën gazetarët, ikë me veturë pa u deklaruar për takimin me Listën Serbe VIDEO

Edhe pse mediat e pritën me orë të tëra, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti zgjodhi që edhe kësaj radhe t’iu ikë atyre, duke mos u deklaruar fare.

Gazetari i Ballkani.info që gjendej në hollin e Kuvendit të Kosovës, aty ku Kurti takoi përfaqësuesit e Listës Serbe, e ka realizuar këtë video derisa lideri i VV-së largohet me veturë nga oborri i Kuvendit.

Gazetarët dhe kameramanët janë zhgënjyer edhe kësaj here nga mostransparenca e Kurtit.

Deklarimi i krerëve të Listës Serbe pas takimit me Kurtin

Lista Serbe nuk do të jetë frenuese e formimit të qeverisë së re të Kosovës, ka deklaruar kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq, pas takimit që ka zhvilluar me mandatarin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes, Kurti, ka pritur përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë, ata serbe dhe komuniteteve joserbe, për të diskutuar rreth formimit të qeverisë së ardhshme.

Pas takimit, Rakiq tha se u takon partive të shumicës, shqiptare, që ta sigurojnë shumicën në Kuvend, por në çdo rast, ai tha se “nuk do të jenë frenues” të formimit të qeverisë së re.

“Atë që dua ta them dhe që është fakt, për çka janë të vetëdijshëm si bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe Prishtina, është se pa Listën Serbe si një subjekt i rëndësishëm politik, nuk mund të formohet qeveria”, tha Rakiq.

Lista Serbe, nënvizoi ai, do ta ketë përfaqësuesin e saj në qeverinë e re të Kosovës.

Kurse anëtari tjetër i këtij subjekti politik, Dalibor Jevtiq tha se Kushtetuta e parasheh që në rast se qeveria ka më shumë se 12 ministri, atëherë Listës Serbe, si subjekt që ka një grup parlamentar prej 11 deputetëve, duhet t’i takojë edhe ministria e dytë për komunitetet joshumicë.

Jevtiq tha se tash për tash, nuk mund të thuhet se a ka apo jo koalicion qeverisës sepse kjo çështje u takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai tha se Lista Serbe nuk hyn në qeveri si koalicion, por si subjekt politik që përfaqësohet në qeveri.

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar Kryesisë së Kuvendit, kërkesën për caktimin e seancës plenare për votimin e përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi të Kuvendit të Kosovës, kryesia do të mblidhet më 31 janar, për të shqyrtuar kërkesën e Kurtit.

Por, Kurti ende nuk ka arritur ta finalizojë marrëveshjen për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, çka e bën të paqartë sigurimin e shumicës prej 61 votave në Kuvend për formimin e qeverisë së re.