Zubin Potoku

Kurti: Serbia ka planifikuar në nëntor ta sulmojë Komunën e Zubin Potokut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka folur për sulmin terrorist që ka ndodhur më 24 shtator në Banjkë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbe sulmuan Policinë e Kosovës, ku për pasojë mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ndërkohë, gjatë fjalimit Kurti bëri të ditur se grupe të armatosura terroriste kanë planifikuar që në nëntor të këtij viti ta sulmojnë objektin e Komunës së Zubin Potokut.

“Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Komunës së Zubin Potokut, me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Liqenit të Ujmanit. Por, këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve në Serbi”, tha ai në konferencë për media.

Krahas kësaj, Kurti paralajmëroi se Millan Radoiçiq po mban takime me shërbimin sekret serb për të planifikuar sulme të reja në Kosovë.

“Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të “Mbrojtjes Civile” që instruktor e kanë Uglesha Jaridiq”, ka thënë Kurti.

VIDEO BONUS: Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave