Kryeministri i Kosovës

Kurti: Rezultatet e PISA-s tregojnë defektet në të kaluarën, mësimdhënësit të garantojnë që nxënësit po mësojnë e po dinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezultatet e dobëta në testet që i bën programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – PISA, treguan për “defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë”.

Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë përmendi arsimin e lartë publik falas dhe tha se “shkollimin preofesional po e lidhim me tregun e punës përmes arsimit dual”, ndërsa për rezultatet në PISA, fajin ua la mësimdhënësve.

“Por natyrisht që jemi të shqetësuar për rezultatet e testit PISA për vendin tonë të cilat treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë dhe as nuk do të mund të rregullohen as përnjëherë e as shpejt”, tha ai.

Kurti tha se “testi PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme diçka nuk po shkon mirë”.

“Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e mësimnxënies, ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dinë”, tha ai.

Kryeministri tha se të rinjtë po i përgatisim “me kohë për nevojat e tregut”.

“Qeverisja kërkon sa përkushtim edhe energji. Përkushtimi është maturi kurse energjia në thelb është rinore. E si qeveri e re e një vendi të ri me popullatë të re, jemi të pëkrkushtuar për rini”, tha Kurti, duke përmendur anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore.