Kryeministria

Kurti pret Lulzim Hetemin në zyrë, flasin për “projektet potenciale” që mund të realizohen në Leposaviq

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i njohur për opinionin publik më tepër për qëndrimin 6 muaj i ngujuar në zyrën e tij “në krye të detyrës”.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Kurti i përgëzoi kryetarin Hetemi dhe nënkryetaren Marina Bogojevic për punën, angazhimin dhe kontributin.

“Kryetari Hetemi dhe nënkryetarja Bogojevic njoftuan kryeministrin për arritjet e deritanishme dhe për sfidat në qeverisjen komunale”.

Në takim thuhet se u fol për projektet potenciale që mund të realizohen në bashkëpunim me nivelin qendror, teksa u theksua “rritja e interesimit të qytetarëve për të aplikuar për programet e komunës për subvencione”.

“Duke u dhënë mbështetjen e tij, ai kërkoi nga ata qeverisje të drejtë, të mirë e demokratike”, thuhet në njoftim.