Albin Kurti

Kurti: Po hyjmë në javën e 30 prejse ka ndodhur sulmi terrorist në Banjë, Prokuroria ende s’ka ngritur aktakuzë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së ka adresuar kritika ndaj Prokurorisë Speciale e cila ende nuk ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit.

“Sot po hyjmë në javën e 30 prej sulmit në Banjë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, por ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist që na vrau rreshterin dhe heroin Afrim Banjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të ishte problem se lere më java e 30 në të cilën hyjmë sot”, tha Kurti.

Gjatë fjalimit të tij para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, ai ka vazhduar me kritika për sistemin e drejtësisë në Kosovës.

“Gjysma e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë vetëm 1/3 është e kënaqur me punën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve”, shtoi Kurti.

Ndërkaq kreu i LV-së është lavdëruar se në Veri të vendit është ulur ilegaliteti dhe është shtuar ligjshmëria dhe siguria, meqë sipas tij, janë mbyllur 27 rrugë ilegale, janë shkatërruar nëntë laboratorë droge, gjashtë të kriptovalutave dhe katër depo të armatimit.

“Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale dhe armatim në vlerë prej 15 milionë eurove. Janë ngritur nëntë stacione policore për të rritur sigurinë”.