Plani i BQK-së

Kurti: Plani i BQK-së s’vihet në pikëpyetje – propozimet e SHBA-së s’ishin të stërholluara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi të japë detaje sa i përket propozimeve për dinarin që u shpalosën gjatë vizitës së fundit të Emisarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke theksuar se ka pasur vetëm disa “propozime jo të stërholluara” që nuk e adresojnë thelbin e çështjes në fjalë.

Sa i përket kësaj çështje, ai tha se nuk mund të ndërhyjë në planin e BQK-së. Por tha se nëse ka diçka që ministritë mund t’i adresojnë për komunitetin serb, këtë tha se do ta bënin me dëshirë, si për shembull nëse ka nevojë ndonjë serb i moshuar për t’i ndihmuar deri tek banka, këtë tha se qeveria është e gatshme ta bëjë.

“Ne nuk mund të garantojmë çka do të flasë ndërmjetësi ose çka do të flasë pala tjetër, edhe nuk pajtohemi nëse është në shpërpudhje me Kushtetutën dhe ligjin tonë dhe në këtë rast ne jemi përpjekur me gjithë fuqinë tonë të respektojmë rendin republikan të Kosovës së pavarur që do të thotë ta mbajmë Bankën Qendrore të Kosovës edhe përpara edhe nga lartë. Për tagrat do të mund të flisnim ne si qeveri, por me datën 27 dhjetor rregullorja e re është e BQK-së ne jemi të gatshëm që teksa zbatohet plani 10 pikësh për tranzicion 3 mujor nga BQK-ja, nëse ka pasoja që mund t’i adresojnë ministritë tona për komunitetin serb këtë do ta bëjmë me shumë dëshirë, por nuk mund të ndërhyjmë as tek plani i BQK-së për zbatim e as tek rregullorja që tashmë është aprovuar. Nëse ka nevojë ndonjë serb i moshuar që të ndihmohet deri tek filan banka jemi shumë të gatshëm”, tha Kurti në RTK.

Ai deklaroi se Qeveria e Kosovës është duke punuar mbi propozimet që do të dërgohen të premten (22 mars) në kutinë postare të Bashkimit Evropian (BE), porse rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore në Kosovë, nuk do të vihet në pikëpyetje.

VIDEO BONUS: