Kurti: Për fitoren tonë s’do t’i kemi borxh asnjë tajfuni a ambasade, por vetëm popullit

Me intonimin e himnit kombëtar nga sopranoja Besa Llugiqi ka nisur tubimi përmbyllës i fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, në Prishtinë.

Kandidati për deputet Arben Vitia, që e hapi këtë tubim, ka thënë se u ka ardhur fundi i fyerjeve që na i kanë bërë qeverisjet e deri tanishme këto 20 vite, transmeton Koha.net.

“Këta që po ikin na e kanë marrë fytyrën, e bënë horë veten, por tash le të bëjnë çfarë të duan vetvetes sepse ka ardhur fundi i fyerjeve që na bënë këto 20 vjet. Kosova jonë është Republikë e grave, të rinjve, mërgimtarëve, punëtorëve, bujqve e minatorëve. Republika e atyre që dhanë dijen, mundin e gjakun e tyre. Kosova është vet dhembja jonë”, ka thënë Vitia.

Ai tha se më 6 tetor Kosova do të marrë një rrugëtim të ri, me një qeveri për së mbari të udhëhequr nga një kryeministër i mbarë.

“Prishtinë, ta refuzosh të keqen e t’i shtrish dorën të mirës nuk është e lehtë, kërkon dije, guxim e vendosmëri. Kanë mbetur edhe dy ditë kur Kosova do të marrë një rrugëtim të ri. Të drejtohemi nga e mbara t’i ndihmojmë vetes, ta kemi një qeveri për së mbari me një kryeministër të mbarë. E dashur Prishtinë zbardhja të ardhmen Kosovës, me Albinin, me numrin e dritës, faleminderit Prishtinë 126 herë”, ka thënë Vitia.

Albulena Haxhiu, kandidate për të marrë sërish mandatin e deputetes në Kuvendin e Kosovës ka thënë se vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Albin Kurti kthehet shpresa në Kosovë.

“Çfarë pamje mrekullueshme, çfarë drite në mes të kësaj mbrëmje. Prej këtij sheshi kemi folur çdo herë me ju, kemi qëndruar me ju pikërisht në këtë shesh, kemi rezistuar bashkë,. Prej këtu e duam fitoren e Vetëvendosjes, që ta bëjmë zërin tuaj të jehojë në zemër të republikës. Republikë që na sfilitin, na gjunjëzuan ta ngrejë në këmbë”, ka thënë Haxhiu, para masës në kryeqytet.

Ajo ka thënë se fitorja e kësaj partie është detyrë, është porosi, është dëshmi.

“Qeveria Kurti do të hapë kapitullin e ri për mbarësi dhe për dritë. Për vajzat, për gratë, për nënat, të cilat me padurim po e presin fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu.

Pas Haxhiut, në skenë doli Glauk Konjufca, i cili shprehi bindjen e tij për fitoren e Vetëvendosjes më 6 tetor.

“Të dashur aktivistë, që s’lodheni as nëpër borë as nëpër shi, ju jeni zemra e Vetëvendosjes. Të dashur kandidatë ju lus që të më bashkoheni që të përshëndesim themeluesin, liderin e Vetëvendosjes e kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ajo listë e deputetëve ku Albin Kurti prinë, e Salih Zyba na e runë shpinën ajo është lista fitimtare”, ka thënë Konjufca.

Ai thotë se qytetarët i kanë mbushur me shpresë nga takimet që kanë pasur nëpër Kosovë.

“Kemi qenë këto ditë nëpër krejt Kosovën dhe kemi takuar gjithë qytetarët, ajo që kemi dëgjuar na ka pikëlluar, por kur na kanë treguar se kë do ta votojnë na ka mbushë plot shpresë, ata do ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje. Shumica e qytetarëve e vendit tonë e kanë secili një arsye për të qenë të pakënaqur për gjendjen që kemi, mirëpo erdhi dita me vetëvendosjen që del e para me Albinin na prinë e mbara”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se ka ardhur dita kur Kosova do të kthehet për së mbari.

“Erdhi dita për drejtësi, e kjo do të thotë se erdhi fundi i krimit, erdhi dita për arsim e kjo do të thotë se erdhi fundi i injorancës. Erdhi dita për shëndetësi pra i erdhi fundi sëmundjes së quajtur PAN – ‘panhajnisë’. Populli ynë gjithë e ka ditur se me hajna nuk ka shtet. Ilaçi për Kosovën e ka numrin 126, e emrin ilaçi e ka Vetëvendosje. Populli i Kosovës më 6 tetor ka me e pi këtë ilaç e ka me e shëruar Kosovën njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka shprehur bindjen e tij se më mërgimtarët nuk do të detyrohen të vijnë në Kosovë për të votuar.

“Të dashur qytetarë faleminderit që keni ardhur nga New Yorku e Zelanda, e kjo është hera e fundit që vini për të votuar, sepse herëve të tjera do të vini për pushime apo të vini për ta shikuar ndonjë të afërt, herëve tjera do të votoni në vendet ku jetoni, e qe besa edhe do të ktheheni për të jetuar në Kosovë sepse do të bëhet mirë”, ka thënë Konjufca.

Kandidatja tjetër për deputete, Saranda Bogujevci, ka thënë ka ardh dita që asnjë i ri dhe e re të mos mendojë më se për ta ndërtuar të ardhmen të largohet nga ky vend.

“Ka ardh dita që asnjë familje që fëmijët e tyre do të ikin diku tjetër për shkollim e jetë më të mirë”, ka thënë Bogujevci.

“Na ka mbet beteja e fundit në këtë vend, e këtë betejë do ta fitojmë me 6 tetor. Pas kësaj dite askush nuk do të ikë nga ky vend, të tjerë do të kthehen”, ka thënë më tej ajo.

Pas saj, në binë është ngjitur Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Pas mijëra kilometrave, qindra takimeve, e dhjetëra tubimeve po përfundon në Prishtinë fushata jonë. Ka shumë flamuj në këtë tubim madhështor, sepse lëvizja nuk është vetëm e jona. Është e të gjithëve, është bërë një lum pa brigje. Ne se kontrollojmë dot rritjen e saj, por ajo e kontrollon edhe veten edhe neve”, ka thënë Kurti.

Aktivistët e VV-së janë gurët mbi të cilët do të ndërtohet kalaja e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kanë punuar për ideal e jo për para.

Ai ka falënderuar aktivistët për përkushtimin e tyre, e kandidatët për punën që ka thënë se do të çojë në fitore të sigurt.

“Nuk jemi vetë sepse jemi bashkë, dhe nuk jemi për vete sepse jemi për juve. Për të gjithë të gjitha, për të ne asgjë. Për fitoren tonë ne nuk do t’i kemi borxh asnjë tajfuni e ambasade. Do t’ju kemi borxh vetëm juve, e do t’ju shërbim pa pushim. Nuk jemi mbledhur këtu as për t’ju premtuar as për t’ju gënjyer”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se si qeveri e re, do të gjejnë Kosovën në një gjendje shumë të rëndë.

“Qytetarët e kanë humbur shpresën në shtet sepse nuk kanë pasur qeverisje të mirë. Çdo i gjashti i qytetar është i varfër, dhe varet nga skema pensionale që u thotë se duhet të jetoni me 80 centë në ditë. Minatorët që flejë mbi arë nuk kanë as jorgan për t’u mbuluar. Bujqit nuk mund ta punojnë tokën sepse kur shkojnë të blejnë naftë traktori i tyre u konsiderohet sikur të ishte Mercedes”, ka thënë Kurti.

loading…