Kurti për drejtësinë: Do të shkojë Lumezi, por edhe shumë të tjerë

Kandidati për kryeministër nga VV’ja, Albin Kurti, ka thënë se në sistemin e drejtësisë do të shkojë kryeprokurori i shteti, duke aluduar në shkarkimin e tij nga organet kompetente. Megjithatë, Kurti tha se nuk do të shkojë vec Lumezi, por edhe shumë të tjerë.

Ai gjithashtu komentoi shprehjen e tij që përdori në zgjedhjet e kaluara “Le të shkojë Lumezi, le të vijë Elezi”. Kurti këtu kishte fjalën për ish-prokurorin Elez Blakaj.

“Ne nuk jemi në qeveri edhe ne ishim 50 ditë në kohë të pandemisë. Tash po vimë për 4 plus 4 vjet. Dhe jo vec Lumezi, por kanë me shku plot. Dhe s’ka me u kthy vec Elezi, por kanë me u kthy plot të tjerë”, ësthë shprehur Kurti në RTV Dukagjin.

Tutje, Kurti tha se me qeverinë e tij, nëse bëhet, do të ketë shumë më shumë punë për Prokurorinë e shtetit.

“Me neve do të ketë shumë më shumë punë për prokurorinë, ju e dini që janë afër 200 prokurorë në Kosovë dhe ata o do të ribëhen siç e kanë emrin, pra të aktivizohen ose nuk mendoj se do t’i mbijetojnë trysnisë shoqërore, qytetare e institucionale”, ka thënë Kurti.

“Pra, një pjesë e madhe e punëve nuk janë për qeverinë, janë bërë shkelje të ligjeve dhe krime. Këto krime ekonomike janë punë për prokurorinë dhe gjyqësorin”, shtoi Kurti.