Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vizitën e tij zyrtare në Kroaci.
Ai ka thënë se Kosova dhe Kroacia ndajnë miqësi të sinqertë, partneritet të fortë dhe aleancë të shëndetshme.
“Diskutimet, vullnetin dhe gatishmërinë që e kemi gjithmonë për bashkëpunim, i kthyem në marrëveshje konkrete ndërmjet dy vendeve tona, e të cilat do t’i forcojnë më tej lidhjet e ndërsjella dhe do ta përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve tanë. Ministri ynë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nënshkruan sot me homologët e tyre marrëveshje për sigurimet shoqërore dhe protokollin përkatës për zbatim, për njohjen dhe shkëmbimin e patentave të shoferëve, bashkëpunimin në mbrojtjen kundër fatkeqësive natyrore, teknike dhe teknologjike, bashkëpunimin ndërmjet agjencive tona të forenzikës dhe ndërmjet Akademisë Policore të Kroacisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kërkimit shkencor. Ndërkaq me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ishim pjesëmarrës në Forumin e dytë Ekonomik Kosovë-Kroaci”, ka shkruar ai në Facebook.
“Përgjatë ditës, zhvilluam takime të rëndësishme bilaterale me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, Presidentin Zoran Milanović, dhe Kryetarin e Kuvendit, Gordan Jandroković. Ndërmjet takimeve, bëmë homazhe pranë Monumentit të Atdheut në kujtim të të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kroacisë. Kurse vizitën e përmbyllëm, siç e do zakoni, me bashkatdhetarë tanë që na mirëpresin çdo herë e kudo”, ka shkruar ai.
“Kosova dhe Kroacia ndajnë një miqësi të sinqertë, partneritet të fortë dhe aleancë të shëndetshme, që bazohet në vlera të përbashkëta demokratike, përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe orientim të qartë euro-atlantik”.







