Kurti pas vendimit të Kushtetueses: Ligji për zëvendësimin e deputetëve nuk është i vetmi diskriminues

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti për të cilën Gjykata Kushtetuese sot njoftoi se ishte diskriminuar gjatë zëvendësimit të deputetëve në vitin 2019, ka reaguar duke thënë se ky ligj nuk është i vetmi diskriminues në Kosovës.

Kurti u shpreh se mandati i është mohuar në baza gjinie dhe për këtë tha se kjo luftë nuk ka qenë e lehtë e as nuk përfundon këtu.

“Pas një viti prej kërkesës, Gjykata Kushtetuese paska vendosur në favor timin për mandatin e deputetes për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Mandati më është mohuar në baza gjinie. Njëjtë edhe Drita Millakut. Sipas vendimit, Kushtetuta është shkelur në 4 nene dhe konventat ndërkombëtare gjithashtu”, thekson ajo.

Ajo u shpreh se duhet të vendoset parim dhe të punohet në shumë drejtime.

“Kjo luftë nuk ka qenë e lehtë dhe as nuk përfundon këtu. Një mandat nuk është asgjë në krahasim me parimin që duhet të vendosim. Koha nuk ecën prapa, mandati i mohuar institucionalisht nuk kthehet por ne duhet të përparojmë me kohën. Neni 28 tek Ligji për Zgjedhjet për Zëvendësimin e deputetëve nuk është i vetmi diskriminues. Duhet të punojmë në shumë drejtime”, shkruan Kurti.

Ajo falënderoi për këshillat profesionale e mbështetjen morale të gjithë ata që u bashkuan publikisht ose jopublikisht në këtë betejë të sajën.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në lidhje me ankesën e dy ish-deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti e Drita Millaku, për të cilat në zgjedhjet e kaluara sipas vendimit të GJK-së, kishte pasur diskriminim gjinor në momentin kur ato nuk ishin lejuar të bëheshin deputete për të zëvendësuar deputetët që ishin bërë ministra.