Zajednica

Kurti: Pas më shumë se një dekade insistim në “Zajednicë”, Serbia dje ka refuzuar të nënshkruaj një draft për vetmenaxhim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i befasuar me qëndrimin e djeshëm të Serbisë që ka refuzuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pas më shumë se një dekade insistim në “Zajednicë”, Serbia dje ka refuzuar të nënshkruaj një draft për vetmenaxhim që është sjellë nga vet Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se emisarët perëndimorë që erdhën në Kosovë në draftin për Asociacionin parashihet që pas nënshkrimit ai të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tij.

Ndryshe, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten vonë se Kosova dhe Serbia nuk qenë të gatshme të pajtohen me njëra tjetrën në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Takimet që ishin paraparë të zgjasnin vetëm 30 minuta për secilën palë, vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes dhe përgjatë tërë kohës pati një ndjenje optimizmi te zyrtarët evropianë.