Kurti pas bllokimit të 200 milionë dollarëve nga SHBA: S’po kam kohë si dikur t’i ndjek lajmet

Kryeministri Albin Kurti nuk do të çojë për votim propozimin për heqjen e pjesshme të taksës, pa një konsensus me partnerin qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa ka treguar edhe arsyet e refuzimit të takimit me presidentin Hashim Thaçi.

Ai tha se vendimet e tij nuk dëshiron të bëhen me shumicë të thjeshtë në Qeverinë e Kosovës dhe se nuk dëshiron të ngutet me marrjen e vendimit për heqjen e taksës së paralajmëruar për lëndën e parë më 15 mars.

“Unë kam dhënë qëndrimin tim si kryeministër i Kosovës për zëvendësimin gradual të tarifës 100 për qind me reciprocitet. Duket që nuk është mirëpritur prej disa eksponentëve në LDK-në. Unë nuk dua që vendimet qeveritare të bëhen me shumicë të thjeshtë. Jam i interesuar që për politikën e jashtme të kenë harmonizim të g jitha institucionet e shtetit, e posaçërisht qeveria. Derisa ta kemi një konsensus të tillë, nuk do të kisha preferuar të nxitohem që qëndrimin tim ta sjell në mbledhje të Qeverisë për ta bërë vendim”, tha Kurti.

Rreth tërheqjes së fondeve të MCC, kryeministri Kurti tha se nuk ka njohuri zyrtare për një gjë të tillë.

“Nuk kam njoftim të tillë zyrtar dhe jam pak i hendikepuar, për shkak se njoftimet dhe lajmet e ndryshme që vijnë të pa verifikuara apo gjysmë të verifikuara, nuk e kam as për së afërmi kohën e dikurshme që t’i ndjek”, u shpreh Kurti. /Ballkani.info/