“Kurti para dy dilemave: Të qëndrojë në hotelin luksoz apo të kthehet në Deçan te qytetari i zakonshëm, i varfër, i helmuar”

Përderisa në komunën e Deçanit është shpallur situatë emergjente për shkak të helmimit, ku mbi një mijë e 500 qytetarë janë hospitalizuar dhe dy të tjerë kanë gjetur vdekjen, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka gjetur kohë për akomodim në një hotel luksoz në Greqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në një vizitë disa ditore në shtetin helen, teksa dy ditë më parë qëndroi në resortin super luksoz “Grand Resort Lagonissi”, i cili është i pozicionuar përgjatë rivierës së Athinës.

E pikërisht për faktin se Kurti po vazhdon vizitën në Greqi, edhe pas situatës në Komunën e Deçanit, ky i fundit ka marrë kritika nga PDK-ja.

Betim Gjoshi nga ky subjekt politik thotë se Kurti është para dilemës se a të vazhdojë që të qëndrojë në hotelin luksoz, apo të kthehet në Deçan.

Ai thotë se Kurti vendosi që të “mos prish rehatinë e tij”

“Në momentin e parë që u ndodh para dilemës (1) të vazhdojë të qëndrojë në hotelin luksoz apo (2) të kthehet në Deçan te qytetari i thjeshtë, i zakonshëm, i varfër, i helmuar – Albin Kurti vendosi të mos e prish rehatinë e tij. Ai nuk mori mundimin t’i lëviz këmbët”, tha ai.