FOTO

‘Kurti paguan punëtorët në ambasada kah 7 mijë euro, neve as 7 cent’: Qindra punëtorë në protestë

Qindra punëtorë të sektorit privatë e publikë kanë dalë në protestë të mërkurën për një maj, që njihet edhe si Dita e Punëtorëve. Ata po kërkojnë nga Qeveria që t’ua realizojë kërkesat e tyre, që të mos ndërmerren veprime të tjera sindikale.

Fillimisht, kreu i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se Qeveria po i ikë dialogut, derisa ka apeluar që t’ua realizojë kërkesat atyre.

“Kemi bërë shumë angazhime dhe kemi pasur gatishmëri që shqetësimet dhe kërkesat legjitime t’i bashkëbisedojme me Qeverinë e të angazhohemi bashkarisht, por qeveria vazhdon t’i ikë dialogut. Prandaj jemi në këtë protestë me apelin që Qeveria t’i realizojë kërkesat tona për t’i parandaluar veprimet tjera sindikale.” – tha ai.

“I drejtohem Qeverisë me lutjen që të veprojë e mos të na përsëritet viti 2022, kur filluam me protesta modeste, pastaj me protesta masive dhe na u desh të bëjmë veprime sindikale që asnjëherë nuk i kemi dashur.” – u shpreh Jasharaj tutje.

Ndërkohë, kreu i Sindikatës së Punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, përmendi disa prej atyre që nihen si skandale të Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri punon, kryeministri paguan rrymën në pjesën veriore dhe atë me qindra miliona euro nuk është bash e lehtë. Kryeministri i shpenzon rezervat shtetërore, kryeministri paguan njerëz nga shtatë mijë euro nëpër ambasada të tjera, dhe tek ne nuk na jep as 7 cent, nuk është e lehtë kjo.” – ka thënë ai.

Azemi ka përmendur se Qeveria aktuale e Kosovës, para se ta fitonte pushtetin, i kishte mbledhur ata në një prej hotleeve në Prishtinë dhe se prej aty, kishin pritur që kërkesat e tyre të realizoheshin.

“Kjo qeveri, me gjithë kolegët që i kam mbrapa, para se të vijë në pushtet na patë lodh ky kryeministër, na grumbulloi në Grand duke menduar që u bë mrekullia, dhe pritëm që së paku diçka të realizonte.” – tha tutje ai.

Azemi ka shtuar: “Nëse kjo qeveri mund të thotë se ka bërë diçka për punëtorët privat, unë jap llogari”.

Ndyrhse, nnga pamjet e relizuara nga fotoreporteri i Nacionales, Visar Kadrolli, shihet se janë qindra protestues.

Ata kanë mbajtur në duar pankarta si: “Qeveri realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale”, “Drenasi Proteston”, “Edhe Ferizaji është me ju”, “Peja është kështu”, “Jo ndryshimit të ligjeve në dëm të pensionistëve të arsimit” e të tjera.

Ndërkohë, në një pankartë tjetër thuhet: “Kërkojmë të kemi përfaqësues të punëtorëve në komisione dhe borde në të cilat vendoset për çështje jetike për punëtorët”.