Kryeministri Albin Kurti po e vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndonëse Kurti nuk ka realizuar ndonjë takim me zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, në Prishtinë, analistët politikë thonë se ai dhe Qeveria e Kosovës duhet të insistojnë në rolin sa më të madh amerikan në kuadër të dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, në Prishtinë, kjo vizitë po kritikohet për faktin se Kurti nuk ka arritur të aranzhojë takime të nivelit të lartë me zyrtarët e administratës amerikane.

Pavarësisht kësaj, njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, thotë se Kurti në këtë udhëtim duhet ta kërkoj angazhimin direkt të SHBA-së në dialog.

“Unë mendoj që zotëri Kurti duhet ta shfrytëzoj këtë vizitë për të bërë ftesë Shteteve të Bashkuara që të kyçen më drejtpërdrejtë në dialogun me Serbinë. Nuk është në gjendje Bashkimi Evropian ta zgjidh këtë çështje, sepse thjeshtë nuk ka qëndrim. Me vet faktin që ka vende brenda saj që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ajo është e pamundur. Do të thotë thjeshtë nuk kanë mundësi. Një çështje tjetër që besoj që zotëri Kurti do të duhej ta aktualizoj në shtetet e Bashkuara, është çfarë nëse pala serbe minon dialogun”, vlërësoi Koci.

Ndërsa politologu Dritëro Arifi thotë se SHBA-ja nuk ka ndonjë interes për tu përfshirë në dialogun Kosovë – Serbi, raporton Tëvë 1.

“Ose nuk ka konfirmime ose është e përgatitur jo shumë mirë. Pra, ka shkuar vetëm sa për të thënë që ka shkuar edhe Kurti në SHBA, sepse e ka pasur një kompleks po më duket një kohë të gjatë dhe tash këtë kompleks po e shëron, por në dëm të çkaje dhe në përfitim të çkaje, pra kjo është pyetja më thelbësore. Unë mendoj që Kurti duhet ta ftoj SHBA-në, por SHBA-të nuk janë shumë të interesuara të futen në dialog direkt, pasi që e kanë partnerin e vet Bashkimin Evropian, që po mendon që ata mund ta zgjidhin çështjen tash edhe me ri-kyçjen e Berlinit zyrtar në dialog”, tha Arifi.

Kurti ka filluar vizitën në SHBA, një ditë pasi është kthyer nga takimi i Berlinit, që u realizua me ftesë të kancelarit gjerman. Por, sa i përket agjendës së tij në SHBA, qeveria ka dhënë fare pak detaje.