Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës që ka zhvilluar në komunën e Gjakovës, ka bërë thirrje për qytetarët që ta ruajnë pastërtinë individuale.

“Meqenëse sektori ynë i shëndetësisë nuk është në nivel të kënaqshëm dhe si Kosovë në përgjithësi dhe çdo komunë duhet të fokusohet në parandalim. Të mbahet distanca fizike, të qëndrojnë nëpër shtëpija, të dalë vetëm një anëtar për furnizim dhe ta ruajnë pastërtinë individuale. E dijmë që zakonisht njerëzit kur dalin bëjnë dush që të duken më të bukur por tash duhet të bëjmë dush posa shkojmë në shtëpi. U bëj thirrje që qytetarët që dalin jashtë, të hyjnë direkt në banjo të bëjnë dush kur kthehen në shtëpi që të pengojnë përhrpajen e virusit në famijle”.

Pas reagimeve të djeshme se kryeministri po e anashkalon Malishevën, komunën më të prekur nga virusi, ai tha se vizitën do ta zhvillojë nesër atje e nuk ka qenë dje pasi ministri i Shëndetësisë ka qenë para 2 ditësh.

“Nesër do ta vizitojë Malishevën dhe dy komuna të tjera”.

Ndërsa, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se kërkesa kryesore është pajisja me material shtesë të nevojshëm për luftimin ndaj virusit.

“Fatkeqësisht tema kryesore është situata me pandeminë. Diskutuam për të gjitha çështjet për masat që janë marrë nga qeveria dhe ato që ka marrë komuna. Kemi kërku më shumë pajisje, material. Po vjen material, e dijmë që ka kërkesa të mëdhaja por është kohë që duhet të bëjmë maksimumin. Komuna i ka marrë masat e veta por Kosova është vend i vogël, komunat nuk mund të jenë të izoluara, jemi të lidhura kështu që Kosova ka nevojë për një qasje të bashkëpunimit mes komunave”.

Ai bëri edhe apel te qytetarët.

“Qytetarët duhet të bëjnë kujdes të jashtëzkaonshëm. Pjesa dërrmuese e kanë marrë me seriozitet por një pjesë duhet t’i shmangen mbledhjeve”.