Kurti në Forumin Strategjik në Bled takon kryeministrin kroat, flasin për sigurinë dhe ekonominë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti po merr pjesë në Forumin strategjik në Bled të Sllovenisë, ndërsa është takuar edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Kurti në një postim në Twitter shkruan se me kryeministrin kroat kanë biseduar për ekonominë, sigurinë dhe mënyrat për të forcuar më tej marrëdhëniet e jashtëzakonshme dypalëshe dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

“Fillova ditën time në Forumin Strategjik të Bled, duke u takuar me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković. Ne diskutuam ekonominë, sigurinë dhe mënyrat për të forcuar më tej marrëdhëniet tona të jashtëzakonshme dypalëshe dhe për të thelluar bashkëpunimin tonë”, shkruan Kurti.

Ndryshe, në orët e paradites ka nisur të mbahet Forumi strategjik në Bled të Sllovenisë, ku pjesëmarrës janë krerë të lartë shtetesh evropiane bashkë me liderë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti.

Forumi është i ndarë në dy panele, në të cilat do të diskutojnë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kryeministra e presidentë të shteteve të ndryshme të Evropës.