Kurti me veprime të ngjashme me Thaçin, bllokon Podujevën me xhipa të zinj

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke vazhduar fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit në komunat e Kosovës.

Së fundmi, Kurti është parë në komunën e Podujevës, i përcjellur nga mbrojtja e afërt të cilët me xhipat e zinj kanë bllokuar rrugën.

Një veprim i tillë kujton kohën kur vendin e udhëhiqte Hashim Thaçi, i cili tashmë gjendet në Hagë.

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin ishin shumë kritik ndaj kolonave të zyrtarëve të shtetit që bllokonin rrugët, duke u shprehur se “Ata kanë xhipa, teksa ne duam trotuare”.

Kurti në Podujevë është duke bërë fushatë për kandidatin e VV-së, Shpejtim Bulliqin, për të cilin Gazeta Insajderi sot ka raportuar se është duke bllokuar një investim 55 milionësh nga Gjermania, në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Ambientit dhe Infrastrukturës.