Kurti: Mbrëmë jam ngrohur me batanije, shpresoj që Bekim Haxhiu nuk fton konferencë për media

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë folur në konferencë për media për krizën energjetike që mund të kaplojë vendin.

Ata kanë bërë thirrje tek qytetarët që të kursejnë sa më shumë energjinë elektrike, në mënyrë që t’a ndihmojnë edhe Qeverinë në tejkalimin e krizës energjetike.

Gazetarët kanë pyetur Kurtin dhe Rizvanollin se me çfarë ngrohen ata personalisht në shtëpitë e tyre nëse jo me energji elektrike.

Përderisa ministrja Rizvanolli ka thënë se nuk duhet të diskutojnë në këtë nivel, Kurti nuk ka hezituar t’i përgjigjet gazetarit.

“..Sa i përket me çfarë jam ngrohur, mbrëmë jam ngrohur në batanije, por shpresoj se pyetja jote dhe përgjigjja ime nuk bëjnë që deputeti Bekim Haxhiu të ftojë konferencë për media”, ka deklaruar Kurti duke iu referuar deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka qenë mjaft kritikues ndaj Qeverisë Kurti.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se Qeveria do të ndihmojë mbulimin me energji elektrike në të gjithë vendin, por pret edhe bashkëpunim nga qytetarët.