Kryeministri

Kurti mbrëmë ftoi Vuçiqin ta nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit “këtu dhe tani”

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i ka kërkuar edhe njëherë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të nënshkruajë marrëveshjen e dakorduar në Bruksel dhe Ohër.

Në këtë drejtim, Kurti e vuri në pah edhe rolin vendimtar që do të kishte Karta e OKB-së nëse do të nënshkruhej marrëveshja aty.

“Në këtë sfond, nënshkrimi i marrëveshjes nuk është thjesht një formalitet; është e vetmja garanci për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të saj, sigurinë kombëtare të Kosovës dhe paqen rajonale. Pavarësisht ofertave të mia të përsëritura, zoti Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë. E ftoj atë, të pranishëm në këtë takim, të nënshkruajë këtu dhe tani, duke theksuar rolin vendimtar të Kartës së OKB-së në marrëveshjen dhe marrëdhëniet tona. Ky akt simbolik do të tregonte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore dhe fqinjësore me Kosovën”, tha Kurti gjatë fjalimit.

Kurti aty tha se aktet gjithnjë e më alarmante të agresionit dhe terrorizmit të Serbisë e bëjnë gjithnjë e më urgjente përmbushjen e detyrimeve nga Serbia sipas Marrëveshjes Bazë.  

“Marrëveshja u lehtësua nga Bashkimi Europian dhe pasqyron angazhimin e ripërtërirë të Europës në zgjidhjen e mosmarrëveshjes kryesore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti e potencoi se kjo marrëveshje konsiderohet si ligjërisht e detyrueshme edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Ai shtoi se BE hapin tjetër që duhet ta bëjë për Marrëveshjen e Ohrit është regjistrimi zyrtar në OKB.

“Detyrimet e Bashkimit Europian në dialog burojnë nga Rezoluta 64/298 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Rrjedhimisht, më 12 maj të vitit të kaluar, BE-ja e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm se është arritur marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Hapi tjetër logjik do të ishte që BE ta regjistrojë zyrtarisht atë marrëveshje në OKB”.

Kryeministri Kurti e përmendi se Marrëveshja Bazë “thërret shprehimisht Kartën e OKB-së si dritën udhëzuese që rregullon marrëdhëniet midis vendeve tona”.

Derisa përmendi pikat kyçe të marrëveshjes, Kurti e theksoi se Serbia po e shkel atë.

“Fatkeqësisht, gati një vit pas arritjes së marrëveshjes, Serbia duket se po vuan nga një rast i rëndë i ‘pendimit të blerësit’. Kryeministrja e saj, zonja Ana Brnabiq i dërgoi një letër BE-së më 13 dhjetor, duke thënë se marrëveshja nuk është ligjërisht e detyrueshme. Serbia refuzon gjithashtu dy obligime kryesore: të mos kundërshtojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të respektojë integritetin e saj territorial. Ky refuzim, veçanërisht ky i fundit, sugjeron një gatishmëri për të mbajtur opsionin e pushtimit të Kosovës”.

BONUS VIDEO: Kurti: Pretendime të rreme nga shteti që kreu gjenocidin e fundit të shekullit të shkuar