Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se për herë të parë, Kosova ka Qeveri pa kurrfarë lidhje me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij, derisa sërish kritikoi prokurorët e gjyqtarët.
Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë në festën e fundvitit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Për herë të parë Kosova tani ka qeveri pa kurrfarë lidhjesh me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij. Përkundrazi, tash pra është krimi i organizuar, në veri e në jug, që tmerrohen nga qeveria: ose ikin ose dorëzohen. Eh, vetëm sikur edhe prokurorët sikur t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’i kishim pak më punëtorë, nga kampionë ballkanikë siç jemi do të mund të bëheshim kampionë evropianë”, tha Kurti.
“Progresi ynë të dashur aktivistë nuk ka pasur dysheme. Sepse Kosovën na e patën lënë në bodrum. Sot, progresi ynë nuk ka tavan. Kur rritesh, rriten edhe mundësitë për t’u rritur. Buxheti në vitin e ardhshëm 2024 është 35% më i lartë sesa ai në vitin 2021. E në vitin e ardhshëm Bruto Produkti Vendor do të jetë mbi 10 miliardë apo 50% më e lartë se para tri vjetëve”, tha Kurti.
Ai foli edhe për procesin e Vettingut, ku tha se reformat janë të domosdoshme.
“Në rrafshin e drejtësisë, duket se i është dhënë drita e gjelbër një reforme të rëndësishme – Vettingut. Këto reforma do të duhet disa vite që të japin rezultate, mirëpo janë të domosdoshme për të rregulluar dhe për të garantuar mirëfunksionimin e drejtësisë, që duhet të jetë një nga shtyllat e vendit tonë demokratik”, ka deklaruar Kurti.







