Kurti kujton sulmet e 11 shtatorit: Tre shqiptarët që humbën jetën u bënë shprehje shtesë e afërsisë shqiptaro-amerikane

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përkujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit ku humbën jetën afër 3000 persona.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se terrori i 11 shtatorit la vrragë të thellë, por më shumë bashkoi sesa që ndryshoi botën.

Në mesin e viktimave ishin edhe tre shqiptarë, që sipas Kurtit u bënë shprehje shtesë e afërsisë shqiptaro-amerikane në çdo rrethanë dhe kohë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Që nga viti 2001, në ditën e 11 shtatorit, kujtojmë e nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e të vrarëve dhe mbarë kombin amerikan. 2977 viktimat e pafajshme dhe mijëra të tjerë të plagosur e të lënduar janë pasoja e paharrueshme e terrorizmit i cili kurrë nuk mund të ngadhënjejë.

Në mesin e viktimave ishin edhe tre shqiptarë, që u bënë shprehje shtesë e afërsisë shqiptaro-amerikane, në çdo rrethanë dhe kohë.

Terrori i 11 shtatorit la vrragë të thellë, por, më shumë bashkoi sesa që ndryshoi botën.

Kullat Binjake nuk janë më, por Kulla e Lirisë, edhe më e lartë, është aty tani.