Kurti: Kërkoj nga organet e rendit që ta vënë vrasësin e Marigonës sa më shpejtë para drejtësisë

Kryeminsitri Albin Kurti ka reaguar ndaj vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur, andaj duhet angazhim maksimal i institucioneve ndaj këtyre dukurive.

“Një 18 vjeçareje dje iu ndalën përgjithmonë dëshirat dhe ëndrrat. Ajo nuk e humbi jetën në aksident trafiku apo konflikt lufte. Jeta e saj u shua dhunshëm në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur”.

“Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm  dhe për të realizuar aspiratat legjitime”, tha Kurti

“Nëna dhe baballarë, vëllezër dhe motra, mësues dhe mësuese, zyrtarë të rendit dhe të mbrojtjes së ligjit, qytetarë dhe qytetare të Kosovës”, shtoi kryeministri.

Tutje ka kërkuar nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të Marigonës sa më shpejtë para drejtësisë.

“Ta ndalim dhunën ndaj grave, t’i edukojmë bijtë e vëllezërit tanë se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi, se dhuna është turp që sjellë tragjedi dhe se është e dënueshme me ligj”.

Më tej ka apeluar tek qytetarët që çdo rast i dhunës në familje të lajmërohet të organet kompetente.

“U bëj thirrje të gjitha nënave, bashkëshorteve, motrave e vajzave, që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës, si edhe mosveprimin institucional për rastet e lajmëruara. Mos heshtni”, shkroi kryeministri.

“Ne nuk mund të jemi spektatorë ndaj të ardhmes sonë. Kemi obligim moral, kushtetues, institucional që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e secilës viktimë të dhunës në familje”, shkroi në fund Kurti.