“Kurti ka vënë një kusht”, Petrit Selimi komenton deklaratën e gazetarit gjerman

Gazetari i prestigjiozes gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka shkruar për takimin e së premtes mes Kryeministrit Albin Kurti dhe pesë top diplomatëve perëndimorë që i shkuan në zyrë.

Martens shkroi se thuhet që Kurti i ka kërkuar diplomatëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ta garantojnë se Kosovën e njohin pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, në këmbim të pranimit të propozimit të tyre për marrëveshje me Serbinë.

Ish-zyrtari i lartë kosovar, Petrit Selimi, thotë se sigurimi i njohjeve nga pesëshja e BE-së është një kërkesë e domosdoshme për Kosovën.

“Unë mendoj se ky është elementi më i rëndësishëm për ta diskutuar në tavolinë. BE/SHBA duhet që me të vërtetë të fillojnë nga kjo dhe të punojnë drejt obligimeve. Meqenëse nuk ka asnjë perspektivë reale të BE-së për Kosovën në 20 vitet e ardhshme, sigurimi i njohjeve të Spanjës, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros, është gati esenciale për Kosovën”, ka shkruar Selimi.

Këtë koment, Selimi e bëri mbi postimin e gazetarit gjerman, ku fliste për kushtin e Kurtit.

“Thuhet se Kryeministri i Kosovës, Kurti, ka vënë një kusht: Për ta pranuar propozimin e Perëndimit për një zgjidhje, atij i duhet një garancë se pesë shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën akoma, ta njohin atë. Kurti thuhet të ketë kërkuar që kjo të përfshihet në propozim”, ka shkruar gazetari gjerman në Twitter.