Kurti iu bën sërish thirrje serbëve: Konvertojini targat nga ilegale në RKS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat nga ato ilegale për në targa RKS.

Afati për konvertimin e targave përfundon më 31 tetor. Deri më 31 tetor qytetarët serbë mund të konvertojnë targat pa pagesë.

“Sot kemi takim me Ursula von der Leyenin, dhe kemi aktivitetet tona ditore. Unë i ftoj të gjithë qytetarët serbë që i kanë targat e stërvjetëruara t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës”, tha Kurti, raporton Ekonomia Online.

Komentet Kurti i ka dhënë pas vendosjes së gurthemelit të çerdhes në afërsi të Shkollës së Gjelbër në Prishtinë.

Ndërkohë, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.