Kurti ia “shtron zullumin” LDK-së, thotë se aty ka kandidatë që preferojnë PDK-në para VV-së

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti ka folur për mundësitë e bashkëpunimit pas zgjedhor me LDK-në.

Në debatin “Talk the Talk” të kolegjit ‘Riinvest’, Kurti ka thënë se duhet pasur kujdes se kush po e fiton besimin e popullit për deputet nga radhët e LDK-së, pasi siç thotë, janë disa persona brenda LDK-së që e duan PDK-në para VV-së.

“Ky ishte gabimi i tretë me radhë i tyre. Prej atëherë kur dolën prej VLANI dhe iu bashkuan PDK-së, e më pastaj lejuan që duke e kërkuar kryeministrin nga pozicioni i tretë të lejonin që AKR të kalojë te PAN-i. Tash, duke mos e pranuar ofertën e VV-së, por s’kemi se çfarë bëjmë. Ne do të jemi të interesuar që të bëjmë sa më shpejt Qeverinë, sepse s’kemi kohë për të humbur. Njëra ndër pikat e para që duhet draftuar është ai për buxhetin 2020. LDK pavarësisht ka qenë parti opozitare. Por, duhet të përcjellim me kujdes se kush po fiton në Kuvendin e Kosovës nga lista e deputetëve të saj. Ka aty të tillë të cilët më shumë e preferojmë PDK-në se neve. Por, ka edhe të tillë që më shumë na preferojnë neve, por s’ka ndonjë dobi se i frikësohen më shumë PDK-së. Unë dua të shikoj me vëmendje se kush po fiton prej kandidatëve të LDK-së në mënyrë që të formojmë një qeveri, e cila nuk guxon të jetë nën 61 deputetë”, tha Kurti.

Kurti u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me presidentin Hashim Thaçi, por theksoi se në qeverinë e tij, të parit të shtetit do t’i kufizohet hapësira manovruese dhe nuk mund të sillet ashtu si në mandatin e kaluar me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.Kandidati për kryeministër për dialogun me Serbinë tha se qysh në javën e parë në krye të ekzekutivit do të fillojë kontaktet me serbët e Kosovës.

loading…