Kurti: I tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së Bilall Hadërgjonaj në komunikacion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e Bilall Hadërgjonajt, ish-kryetarit të VV-së në Qendrën e Deçanit.

Hadërgjonaj ndërroi jetë pasi u godit nga vetura në Gjakovë.

“I tronditur nga lajmi se ka humbur jetën në një aksident komunikacioni Bilall Hadërgjonaj, ish-kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Deçan. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen Hadërgjonaj, që kanë humbur njeriun e tyre të dashur”, ka deklaruar Kurti në ‘Facebook’.

“Z. Hadërgjonaj ka qenë një inxhinier i specializuar i bujqësisë, anëtar i Brigadës 134 të UÇK-së, kandidat për kryetar komune me subjektin tonë në zgjedhjet e vitit 2013 dhe asambleist në Komunën e Deçanit. Më pas ai mori vendimin të ndryshojë subjekt e të japë kontribut diku tjetër. Ne do të ruajmë prej tij kujtime të mira e respekt për angazhimin dhe kontributin e tij jetësor. U prehtë në paqe!”, përfundon postimi i tij.