Kurti i quajti sindikatistë të PAN-it, reagon SBASHK: Deklaratat e tilla janë tentim për të thelluar hendekun mes sindikatës dhe Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së diele pas votimit në zgjedhjet e brendshme të LVV-së, ka folur para gazetarëve për grevën në arsim.

Kurti u tregua i ashpër me SBASHK-un duke i quajtur ata sindikalistë të PAN-it.

“Kurs kundër Qeverisë së progresit e shpresës, prej sindikalistëve të PAN-it të cilëve iu ka ndaluar sahati më 5 qershor të vitit 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it dhe duan t’i bëjnë shërbim PAN-it në opozitë, duke bërë grevën armë kundër Qeverisë”, ka thënë Kurti.

Në lidhje me këtë deklaratë të kryeministrit Kurti,  sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri në një prononcim për Telegrafin,  tha se deklaratat e tilla i shohin si tentim të Qevrisë për ta thelluar hendekun mes tyre dhe sindikatës si dhe për të vazhduar edhe më tej greva.“Sindikalistë janë 25 mijë anëtarë të SBASHK-ut dhe të njëjtit këta sindikalistë në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër i PAN-it, kanë bërë tre javë grevë për të drejtat e tyre. Tani nëse Kurti po mendon që përmes këtyre deklaratave ta thellojë edhe më shumë hendekun mes sindikatës dhe Qeverisë nga frika se mos rasisht po ndërpritet greva”, tha ai.

Ymeri tutje shktoi se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime, dhe se është e papranueshme që të quhen se janë nga partitë politike.

“Kjo po shihet si një tentim i  Qeverisë për të penguar dialogun dhe për të vazhduar greva, sepse kërkesat janë shumë të drejta dhe legjitime dhe të quhen se janë nga kjo parti apo tjetra janë të papranueshme”, deklaroi Ymeri.

Ai shtoi se greva do të përfundoj varëshit nga dialogu me Qeverinë e Kosovës.

“Kur ta merr këshilli grevist i BSPK-së vendimin dhe konsideron se janë plotësuar kushtet për ndërprerjen e grevës, anëtarësia e SBASHK-ut besoj se do t’i bindet vendimit që merr këshilli grevist i BSPK-së”, tha Ymeri.

Ndërkohë deri në janar, mësimdhënësit sikurse edhe shërbyesit tjerë publikë do të marrin shtesat prej 50 eurove që i ka premtuar Qeveria Kurti me pakon e re mbështetëse ndaj inflacionit.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend.

Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.