Kryeministri i Kosovës

Kurti i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit: Trajtoni me seriozitetin rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë (Video)

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, sërish i është drejtuar me thirrje Prokurorisë së Shtetit, që t’i trajtojë, siç ka thënë ai, me seriozitet maksimal rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kështu ka thënë i pari i qeverisë përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar edhe se, në 25 vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme të Drenicës, ka përkujtuar të vrarët e familjes Muliqi.

Postimi i plotë:

Në 25 vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme të Drenicës, përkujtuam të vrarët e familjes Muliqi.

Pas masakrës së 26 shtatorit, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu, forcat e armatosura serbe më 30 mars 1999, vranë tetë djem e burra të familjes Muliqi. Katër nga ta ishin nxënës të moshave nga 13 deri 17 vjeҫ.

Sejfulla Muliqi është dëshmor i kësaj familje, i cili pa i mbushur 17 vjet, kishte shitur lopën në Qirez për të blerë armën e për t’iu bashkëngjitur UÇK-së, për të luftuar forcat okupatore serbe. Ai ka rënë në betejë më 19 gusht 1998.

Me Bacën Asllan Muliqi, Ministrin Ejup Maqedonci, zëvendësministrin Blerim Gashani dhe deputetët Enver Dugolli e Gani Krasniqi, sot vendosëm lule të bardha në vendin e prehjes së dëshmorëve e martirëve të Abrisë së Epërme.

Për këto dy masakra nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar deri më sot. Kodi i Procedurës Penale, me ndryshimet në 2019 dhe 2022, u jep mundësinë prokurorëve tanë për gjykim në mungesë të kriminelëve serbë të luftës. Që të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë të ballafaqohen me drejtësinë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Andaj sërish i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Për drejtësi, që shëron e mbyll plagët e hapura e të njoma të familjeve të cilat i dhanë kaq shumë Kosovës për çlirim.