Kurti “harron” se ka shkuar në Zvicër në cilësinë e kryeministrit, ia bën rrogëtarin Vetëvendosjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, po ia bën rrogëtarin subjektit të tij politik edhe në Zvicër.

Përkundër që është ftuar në cilësinë e kryeministrit në Forumin Botëror Ekonomik (WEF) në Zvicër, i cili do të zgjasë deri të premten, ai ka thënë se të enjten si kryetar i VV-së do të nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me Partinë Socialdemokrate të Zvicrës, në mënyrë që t’i ndihmojnë njëra-tjetrën në fushata elektorale, raporton Demokracia.com.

Kështu ka bërë të ditur vetë kryeministri Kurti në një intervistë për mediumin zviceran ‘Blick’.

“Cédric [kryetari i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës] është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Prandaj, të enjten do të nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për vitin 2023 deri në 2025 mes dy palëve tona. Do të bëhet fjalë për dialog politik, ndihmë zhvillimore, biznes, arsim, por edhe bashkëpunim në zgjedhje. Sepse ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

“Epo, do të shohim se si do të duket saktësisht bashkëpunimi. Por synimi është që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushatën zgjedhore. Me synimin që të dy subjektet politike të fitojnë forcë”, deklaroi ndër të tjera Kurti.

Si “urë lidhëse” ndërmjet VV-së dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës duket se ka shërbyer edhe presidentja e “pavarur politikisht” e vendit, Vjosa Osmani. Kjo e fundit e ka pritur në takim zyrtar shefin e PS-së zvicerane, Cedric Wermuth, vitin e kaluar.

“Duke e uruar për marrjen e detyrës, z. Wermuth konfirmoi gatishmërinë dhe disponimin e Zvicrës për ta mbështetur Republikën e Kosovës në përmbushjen e reformave…Ajo theksoi se mërgata mbetet përherë lidhje e veçantë e Kosovës me Zvicrën”, deklarohej ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës për takimin.

Paraprakisht, përpara se Osmani ta merrte detyrën e presidentes dhe shërbente si ushtruese e detyrës së të parit të vendit, takohej me Wermuth në Zvicër. Ky i fundit e quante Osmanin “politikane model për të gjithë”.

“Sot pata nderin e madh të pres një takim përmes grupit parlamentar të miqësisë Zvicër – Kosovë dhe shoqes time zonjës Presidente Vjosa R. Osmani. Ne ishim – përsëri – të mahnitur nga aftësia e saj e analizës, qartësia në vizionin e saj politik dhe energjia dhe forca në punën e saj – një udhëheqëse e vërtetë dhe një model për të gjithë ne”, deklaronte ndër të tjera udhëheqësi i PS-së zvicerane.

Takime të nivelit institucional me Wermuth kishin realizuar përveç Kurtit edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Wermuth i ndihmonte Kurtit edhe përpara zgjedhjeve të tetorit të 2019-ës. Në shtator të vitit të përmendur, në një tubim me bashkatdhetarë nga Zvicra, në prezencë të Wermuth, Kurti kërkonte nga mërgata t’i ndihmojnë Vetëvendosjes ta “çlirojnë vendin” nga “qeveria e kriminalizuar”.

Në të njëjtin takim, Kurti e lavdëronte Wermuth si politikan rrevoltues, i cili në mbledhje të partisë ka ndezur cigare të mbështjellë.

“Në historinë e re të Zvicrës ai mbahet në mend edhe për këtë gjest: në një mbledhje të partisë është ngjitur në podium dhe e ka ndezur një cigare. Një nga ato me bar”, deklaronte ndër të tjera atëbotë opozitari Kurti.