Kurti flet për BBC: Bisedimet në Bruksel nuk ishin të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë të shkurtër për “BBC World Service”, pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.

Kurti ka folur për bisedimet mes dy vendeve të zhvilluara në Bruksel.

“Po ne kemi pas bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”.

Tutje ai falënderoi për punën e zellshme Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

“E falënderoj  Borrellin, Lajcak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë dhe Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha Kurti.

Teksa foli për “tensionet” që ndodhën një muaj më parë në veri të vendit lidhur me zbatimin e reciprocitetit, kur Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, kryeministri ndër të tjera u shpreh se “janë bindur të gjithë se çfarë kemi bërë nuk është ilegale”.

Ai foli edhe për afatin që iu është dhënë serbëve që të pajisin automjetet e tyre me targa të Kosovës.

“Ju kemi dhënë qytetarëve serbë dy muaj kohë për t’u pajisuar me targat e Republikës së Kosovës….Shpresoj që deri në tetor s’do të shohim automjete me targa që s’janë valide”, u shpreh ai ndër të tjera.

KËTU mund të dëgjoni intervistën e plotë.