Kurti fiku dritat e bredhit në natën e Krishtlindjes, prifti katolik: Ato fiken kur njeriu bie në dëshpërim, në Kosovë ndodhi vetëm gjatë luftës

Pema e Krishtlindjeve, me drita të ndezura, është një nga simbolikat kryesore për të krishterët kudo në gjithë botën gjatë periudhës së Krishtlindjeve, ku besimtarët përkujtojnë lindjen e Jezusit dhe fesë së tyre. Por, dritat e kësaj peme të fikura i shfaqi këtë vit në zyrën e tij Kryeministri Albin Kurti, pikërisht në natën e Krishtlindjes. Për të përcjellë “urimin” e tij për besimtarët e krishterë në Kosovë, që më shumë sesa urim rezulton të jetë mesazh i gabuar për besimtarët, ndonëse shefi i ekzekutivit po e simbolizonte krizën e energjetike në vend.

Simbol i nxjerrjes në racës njerëzore nga errësira e gabuar në dritën e vërtetë, që për të krishterët është Jezusi. Kështu e përshkruan shkurt dhe qartë simboliken e dritave të pemës së krishtlindjeve, prifti katolik Don Lorenc Sopi në një bisedë për Reporteri.net.

Duke mos e komentuar specifik veprimin e mbrëmshëm të kryeministrit kosovar, ai tregon dhe rastet e vetme kur dritat e kësaj peme fiken gjatë periudhës së Krishtlindjes.

“Fikja e dritave ndodhë vetëm atëherë kur njeriu bie në dëshpërim”, thotë Don Lorenc Sopi. Duke lënë të kuptohet që sipas besimit të krishterë njeriu besimtar nuk mund të arrijë në këtë pikë.

“Pra, katoliku duhet të shikojë gjithçka në prizëm e shpresës e jo të dëshpërimit”, shton ai.

“Pema është simbol i nxjerrjes së racës njerëzore nga errësira e gabuar në dritën e vërtetë, që për ne është Jezu Krishti”, thotë prifti katolik.

Sipas tij, fikja e dritave të pemës së Krishtlindjes ndodhë vetëm me përfundimin e periudhës së kohës së Krishtlindjes, “e cila me liturgji përfundon me festën e Pagëzimit të Krishtit”, që sipas kalendarit gregorian kremtohet në javën e parë të janarit.

Tutje, prifti katolik, tregon se vetëm në një periudhë të rëndë të krishterët kosovarë i kanë mbajtur simbolikisht të fikura dritat e pemës së Krishtlindjes. Ajo sipas tij ka qenë periudha e luftës së fundit.

“Se si popull kishim humbur shpresën”, kujton ai atë periudhë. “Mund të them se pavarësisht simbolikës e dritës së fikur apo ndezur, ne në realitet gjatë luftës i kishim të fikura, por me lindjen e shpresës (ardhjes së lirisë) ato u rindezën në shpirt, zemër dhe familje të popullit tonë”, shton ai.

22 vite pas, pikërisht në natën e Krishtlindjes, festes më të rëndësishme për besimtarët katolik dhe të krishterë në përgjithësi, dritat e pemës së Krishtlindjeve u treguan të fikura në zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, nga vet ai përmes një fotografie në facebook.

Madje, këtë Kurti e tregoi si urim të tij për festen e krishterë.

“Besoj se jemi të ndërgjegjshëm bashkarisht për kushtet në të cilët na ka vendosur pandemia, për realitetin kompleks global, për krizën energjetike, ku dritën e gjejmë nëpër festa të këtilla. E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim”, shkroi kryeministri kosovar në urimin e tij të shoqëruar me fotografinë e pemës së Krishtlindjes pa drita.