Kurti falënderon vajzën e Madaleine Albright për investimet, LVV-ja e kishte kërcënuar ish-sekretaren amerikane për PTK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një cicërime në Twitter, Kurti ka njoftuar se është takuar me drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Alice Albright është vajza e sekretares Madaleine Albright, të cilën Lëvizja Vetëvendosje e kishte kërcënuar se do të përballej me të personalisht kur të vinte në Kosovë.

Kurti ka thënë se ka biseduar me Albright për nisjen e negociatave të Kompaktit të Kosovës.

“Një nder i veçantë për t’u takuar@MCC_CEO Znj. Alice Albright dhe për të nisur negociatat të Kompaktit të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-së për të mundësuar Kompaktin, i cili do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë dhe që ripohon lidhjen e ngushtë që ndajnë vendet tona”, shkroi Kurti.

Më shumë se një dekadë pas përfundimit të luftës, duke qenë faktor kryesor në bombardimin e Jugosllavisë, ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright kishte vendosur të investonte në Kosovë. Kompania e saj “Albright Capital Management Llc” i ishte futur garës me 7 kompani të tjera vendore dhe ndërkombëtare për blerjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ajo ishte kundërshtuar fuqishëm asokohe nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila me aktivistët e vet në mënyrë të organizuar edhe e kishte kërcënuar.

Demokracia.com kishte publikuar ekskluzivisht letrën që aktivistët e LVV-së ia kishin dërguar asaj në mënyrë të organizuar.