Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar sot Shkëlzen Gashin këshilltar politik në zyrën e tij.

Për Gashin në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit njoftohet se ka përfunduar studimet në shkenca politike në Universitetin e Prishtinës dhe studimet master për demokraci dhe të drejta të njeriut në programin e përbashkët të Universitetit të Bolonjës me atë të Sarajevës si dhe që është autor i disa librave.

Por, këshilltari i ri i Kurtit, Shkëlzen Gashi ka qasje anti-amerikane. Ai në një nga postimet e tij në Facebook shkruan për Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i krahasuar me Perandorinë Osmane, Austro-Hungarese, me Gjermaninë e Hitleit e Italinë e Musolinit, pushtete këto të gjitha të dhunshme, autoritare dhe nacional-socialiste e komuniste.

“Kuku, mos po na braktisë Perandoria Osmane, kjo bre, perandoria Austro-Hungareze… në fakt, Gjermania e dajës hetë (Hitlerit), jo, Italia e dajës Musë (Musolinit)… jo bre, deshta me thanë mos po na braktisë Amerika, Amerika, se s’mu kujtojke”, shkruan në postimin e tij në Facebook, Gashi para rreth një muaji.

E qasjen e tij anti-amerikane, Gashi e argumenton edhe me mbështetjen ndaj një opinoni të shkruar nga opinionisti shqiptar, Fatos Lubonja, ku flitet për raportet e shqiptarëve me SHBA-të dhe me amerikanët.

Në shkrimin e tij, Lubonja thotë se SHBA-të dhe NATO kanë intervenuar në Kosovë gjatë vitit 1999 për interesat e tyre dhe jo për interesat e shqiptarëve të Kosovës ose për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

“Ideja se çdo kërkesë amerikane duhet zbatuar pa u vënë në diskutim, madje as në dyshim, e ka folenë në trutë e shqiptarëve dhe jo të amerikanëve. Edhe mënyra arrogante, me të cilën Grenell kërcënoi një qeveri të sapokrijuar, e ka burimin e parë tek infantiliteti i shqiptarëve.”, shkruan Lubonja.

“Fakti që amerikanët nuk kanë ndërhyrë në mbështetje të popujve të tjerë që luftojnë për pavarësi dhe shtetin e tyre, siç është rasti i kurdëve, madje i kanë lënë ata edhe në baltë, siç ndodhi së fundi me vendimin e Trumpit, është një nga provat e shumta se amerikanët venë në radhë të parë interesat e tyre. Pra, nëse do të pranojmë se amerikanët kanë bombarduar për interesat e tyre, konkluzioni i parë që duhet të nxjerrim është se, ndonëse në këtë rast përfituan edhe shqiptarët, për çka duhet t’u jemi mirënjohës, nuk ka pse ta shohim veten vetëm si mirënjohës kurse amerikanët t’i shohim vetëm si mirëbërës. Le të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës i paguan edhe me jetët e tyre interesat amerikane pasi në 10 000 shqiptarët e vrarë, 8000 janë pas bombardimeve, kurse amerikanët nuk kanë humbur asnjë ushtar.”, shkruan më tutje Lubonja.

E në këtë shkrim të Lubonjes ku mbrohen pozicionet se si shqiptarët e Kosovës dhe politikanët duhet “të çlirohen” nga SHBA-të e ka shpërndarë Gashi duke përsëritur të njëjtën, duke e quajtur Amerikën perandori.

“Shkrim i jashtëzakontë. Mos u tutni se nuk na braktisë Perandoria Osmane, desha të them, Perandoria Amerikane”.

Sot, Gashi është emëruar këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ani pse pritet që qeveria e udhëhequr nga ky i fundit të rrëzohet në seancën kur do të votohet mocioni i LDK-së për rrëzimin e qeverisë që tani ka marrë përkrahjen e mjaftueshme.

LDK ka siguruar mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.