Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, pritën në takim Ndihmës Sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euraziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euraziatike, Gabriel Escobar, njëherësh i deleguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para, gjatë dhe pas luftës e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu falënderoi shtetin amerikan për ndihmën me mbi 500 mijë doza të vaksinës anti-covid dhe për përkrahjen e ofruar për Forcën e Sigurisë së Kosovës nëpërmjet programit të partneritetit të udhëhequr nga Garda Kombëtare e shtetit të Iovas.







