Kryeministri Albin Kurti, në fund të muajit të kaluar kishte folur në konferencë për media rreth çështjes së propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Duke marrë parasysh kritikat ndaj Qeverisë për rritjen e çmimit të rrymës, Kurti kishte deklaruar para mediave se ky është një vendim i ZRrE-së, e cila sipas tij është institucion i pavarur, shkruan lajmi.net.

“Ne do të dërgojmë komentet e tona. ZRRE është institucion i pavarur i shtetit. Ta zëmë unë nuk e kam numrin e telefonit të kryesues të Bordit të ZRRE-së, por ministrat e linjës shpresoj edhe nga Kuvendi i Republikës do t’u dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që Bordi i ZRrE-së bazuar në raportin e vet t’i trajtojë edhe sugjerimet e të tjerat”, kishte thënë Kurti.

Edhe pse vetë kryeministri Kurti nuk ka dorëzuar komente gjatë afatit të hapur në ZRrE, këtë e ka bërë Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Nga kjo ministri kanë dërguar dy propozime për ZRrE-në, ku i pari ishte që të ngritët pragu i bllokut të parë në 1 mijë kWh, 500 kWh për Tarifën e Ultë dhe 500 kWh për Tarifën e Lartë. Propozimi i dytë nga MI-ja ishte që barra të shpërndahet edhe tek bizneset.

Në anën tjetër, ZRrE-ja ka miratuar sot propozimin e partisë në pushtet, të dërguar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një konferencë të mbajtur për media, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kishte thënë se kanë propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet për ata që tejkalojnë konsumin mbi 800 kWh.

“Blloku i parë  tarifor deri në 800 kilovat i cili mbulohet nga prodhime i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës… Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet nga subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së që përfshinë mbi 23% të amvisërive. Ne propozojmë edhe bllokun e tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, kishte deklaruar Kusari-Lila në konferencë për media, transmeton lajmi.net.

Bazuar në këtë propozim është marrë edhe vendimi i sotëm nga ZRrE-ja, që do të zbatohet nga muaji mars i këtij viti.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë efiçience me 5,9 cent kWh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 kWh, tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, kanë bërë të ditur sot nga ZRrE-ja.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për subvencionimin e energjisë, ku nga 75 milionë të paralajmëruara, subvencionimi i Qeverisë është rritur në 90 milionë euro.

“Vendimi synon të ulë ndikimin e tarifave të energjisë për konsumatorët. Ky vendim është marrë pas rritjes enorme të çmimeve të importit, që ka shkaktuar krizën e furnizimit me energji elektrike në vend”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në ZRrE kishin dërguar propozime edhe palët e interesit, ku Intituti për Politika Zhvillimore – INDEP, kishte propozuar që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 5.5 për qind për të gjithë konsumatorët, përfshirë edhe konsumatorët komercial.

INDEP sot ka deklaruar se ZRrE-ja ka rënë në kundërshtim me vetveten dhe me komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Ata kanë thënë se ZRrE-ja ka vendosur të përkrahë opsionin e partisë udhëheqëse.

“Ekzistimi i kufirit të bllokut tarifor deri në 600 dhe vendosja e një blloku shtesë mbi 1200 është arsyetuar mjaft mirë në Analizën dhe komentet që Instituti INDEP ka dorëzuar në ZRRE. Por, kjo e fundit, ka vendosur që duke dëmtuar hapur pavarësinë dhe profesionalizmin e vet, të përkrahë opsionin e partisë udhëheqëse, duke rënë në kundërshtim me vetveten, me komentet e INDEP dhe me komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë”, thuhet në reagimin e INDEP.


Propozimi i INDEP

Duke marrë parasysh se propozimi i ZRrE-së në fillim ishte që rryma të shtrenjtohet për ata që konsumojnë mbi 600 kWh, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte deklaruar se e mbështet propozimin e ZRrE-së, por se kishte kërkuar të rritet paksa pragu dhe jo të mbetet deri në 600 kWh.


Propozimi i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë

Të gjitha propozimet e dorëzuara në ZRrE gjatë afatit të hapur mund t’i gjeni KËTU.