Kurti e pranoi se ka Asociacion, zëdhënësi i tij thotë se kryeministri s’tha diçka të re

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti nuk ka thënë ndonjë gjë të re lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pak kohë pasi Kurti në një intervistë televizive të mërkurën e pranoi se në Planin evropian ka Asociacion.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryeziu ka thënë se Kurti ka dhënë përgjigje për tërësinë e Planit Evropian, përkatësisht për nenin 10 që flet për të gjitha marrëveshjet e deritashme.

“Ai dha përgjigje për tërësinë e Propozimit Evropian, përkatësisht për nenin 10 të tij i cili flet për të gjitha marrëveshjet e deritanishme, plot 39 sosh, shumicën e të cilave nuk i respekton e zbaton Serbia e për vetëm njërën ka vendim të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.

Kryeziu ka shtuar se Asociacioni ndodhet te dy ish-marrëveshjet për shkak të nënshkrimeve të ish-kryeministrave Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi në vitin 2013 dhe 2015.