Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do të marrë vendim për t’i lejuar targat e Serbisë, pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.
“Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore do ta marrim sapo që policia jonë kufitare do të dokumentojë dhe vërtetojë që Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Kurti tha se targat u përdorën nga Serbia për të destabilizuar veriun e Kosovës dhe tha se vendimi tash nuk u ndërmor për hir të normalizimit të marrëdhënieve, por për pushtetin aktual të Serbisë.
“Si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet atje. Targat në Kosovë në shtator të vitit 2021 përdoreshin edhe për të kërcënuar Kosovën edhe përmes MIG+29 dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit nëpërmjet 16 barrikadave. Kurse në dhjetor sivjet, po përdorën për të ulur preisonin nga Perëndimi demokrati, BE dhe SHBA, mbi Serbinë për zgjedhjet jodemokratike dhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike që ka bërë letra e Bërnabiqit drejtuar Këshillit Europian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë. Kështu duhet të lexohet ky hap i Serbisë që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit është një manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”.






