Zgjedhjet në veri

Kurti dhe shefi i OSBE-së flasin për zgjedhjet në veri – kryeministri i tregon edhe për kërcënimet nga Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim, Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së.

Reklama

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës.

“Kryeministri shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e OSBE-së në adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale”, thuhet në njoftimin për media.

Në takim, u bisedua edhe për integrimin e komuniteteve jo-shumicë dhe pengesat me të cilat ballafaqohen.

“Në lidhje me këtë, Kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e tij në lidhje më kërcënimet dhe frikësimet nga Beogradi dhe strukturat ilegale ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb të angazhuar së fundmi në Policinë e Kosovës”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.