Kurti dhe Hajdari thonë se zyrtarët e shkarkuar të Ujësjellësit kanë bërë shumë shkelje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka treguar se bordi i përkohshëm që ai e ka emëruar në krye të ujësjellësit rajonal të Prishtinës, e ka shkarkuar sot një pjesë të menaxhmentit të kësaj kompanie publike.

Kurti thotë se janë shkarkuar zyrtarët e lartë të menaxhmentit, të cilët sipas tij, e kanë rrënuar kompaninë në tri vitet e fundit.

“Jemi këtu sepse është mbajtur mbledhja e jashtëzkonshme nga Bordi i Përkohshëm i Ujësjellësit, në të cilën është vendosur të shkarkohet zëvendëskryeshefi ekzekutiv, zyrtari kryesor financiar dhe është kthyer në pozitën e mëhershme ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzkekutiv. Vlen të theksohet se nuk është shkarkuar auditori i brendshëm i cili kishte kryer punën me përpikëmëri”, është shprehur Kurti.

“Bordi i Përkohshëm është detyruar që të marrë masa të shpejta, pasi kompania në tri vitet e fundit kishte pësuar rrënim me këtë menaxhment, duke e keqësuar gjendjen e saj operative dhe financiare”, ka thënë Kryeministri në detyrë.

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, ka numëruar gjetjet, sipas të cilave, menaxhmenti i KRU Prishtina ka bërë një sër shkeljesh dhe e ka keqmenaxhuar ndërmarrjen publike.