Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Besnik Bislimin janë takuar sot me përfaësues të korit diplomatik në Kosovë.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e kryeministrit.
“Në vazhdën e takimeve me korin diplomatik në Republikën e Kosovës, sot gjatë ditës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, z. Besnik Bislimi, ka mbajtur një takim të përbashkët me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, znj. Chryssoula Alifer, të ngarkuarin me punë i ambasadës Japoneze në Kosovë, z. Mitsunori Ogasaëara, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, z. Daniel Onişor, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, z. Rastislav Kostilník dhe ambasadoren e Suedisë në Kosovë, znj. Karin Hernmarck Ahliny”, shkruhet në njoftim.
Nga qeveria kanë bërë të ditur se kryeministri në detyrë i ka njoftuar ata me situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19, masat e ndërmarra deri më tani nga Qeveria. Theks i veçantë u vë mbi pakon fiskale emergjente të hartuar nga Qeveria në detyrë.
“Ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre pozitive për punën e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID- 19, dhe në të njëjtën kohë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në çfarëdo forme.
Kryeministri në detyrë Kurti, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që komuniteti ndërkombëtarë po i jep Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj sfide të përbashkët”, shkruhet në njoftim.









