Kryeministri Kurti

Kurti: Bunjaku u vra në një sulm të trajnuar me plan e të mbështetur nga Serbia

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë në një sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës, nga një grup personash të armatosur rëndë, që janë trajnuar profesionalisht dhe me plan dhe janë mbështetur nga Serbia.

Në mbledhjen komemorative të mbajtur të hënën, Kurti ka thënë se të dielën është pamundësuar një skenar më i gjerë kriminal e terrorist.

“Me veprimet profesionale dhe të guximshme të Policisë, dje e pamundësuam një skenar ë të gjerë kriminal e terrorist. Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të financuar materialisht dhe të mbështetur nga Serbia. Reagimi profesional i Policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre, si dhe konfiskimin e gjithë armatimeve dhe mjeteve të tjera logjistike”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se sot është dita kur duhet t’i bëhen nderimet më të larta shtetërore policit Afrim Bunjaku.

“Faktet dolën sheshazi përball nesh, në sy tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për të parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”, ka thënë ai.